Sfidat me të cilat përballen emigrantët në një vend të huaj dhe ndikimi i tyre në mirëqenien psiko-emocionale
- asistencaparagon
- Jul 24
- 4 min read
Të jetuarit në një vend tjetër, larg të shkuarës dhe të tashmes tënde, me sytë drejt së ardhmes, përpos një valixheje me rroba, bën që mbi supe të mbash edhe peshën e pasigurisë, por edhe shpresës, të dyshimit, por edhe besimit për një të nesërme më të mirë…
Cilat janë disa prej sfidave me të cilat përballen emigrantët? Në vijim do të gjeni disa prej tyre, të cilat shpesh janë përmendur edhe nga klientët tanë gjatë rrugëtimit të tyre.

1) Vështirësia me gjuhën- Individët, të cilët kanë pak ose aspak njohuri të gjuhës së huaj përballen me barrier që kjo vështirësi sjellë. Përpos vështirësisë për t’u shprehur apo komunikuar me të tjerët rreth nevojave apo mendimeve të tyre, një tjetër aspekt negativ është edhe limitimi në aksesin dhe gjetjen e punëve më të mira, të një edukimi më të mirë, si dhe vështirësisë për të kuptuar informacion, por edhe për të adresuar kërkesat dhe nevojat e tyre ligjore apo shëndetësore. Të mos komunikuarit dot në një gjuhë të huaj për ju, ku dhe aktualisht ndodheni në vendin që flitet ajo gjuhë, sjell një rritje të nivelit të stresit apo edhe ankthit të përjetuar, madje individët me raste mund të haset edhe izolimi social nga të tjerët.
Ndaj ne ju sugjerojmë që përpara ardhjes suaj në Gjermani, të përpiqeni të studioni edhe gjuhën. Ndjekja e një kursi do të ishte ideale, por mos harroni që dhe në pamundësi të ndjekjes së një kursi, të shikuarit filma, të dëgjuarit muzikë dhe të ndjekurit leksione online të aksesueshme për të gjithë, mund të jetë një zgjidhje efikase gjithashtu.
Megjithatë, mos harroni se Paragon dhe skuadra e tij, do të jenë gjithmonë pranë jush për t’ju asistuar në barrierat që të mos folurit e kuptuarit gjermanisht mund të sjellë për ju!
2) Shok Kulturor: Po tani, çfarë? A ka rrugëdalje nga gjithë ky konfuzion?
Shoku kulturor është gjithashtu një sfidë me të cilën përballen emigrantët. Ekspozimi ndaj një culture të re, me raste aspak të ngjashme me kulturën e vendit nga i cili individët vijnë, mund të sjellë një konfuzion në aspekte të ndryshme sociale dhe emocionale, mund të ‘’trondisë’’ përjetimin dhe botëkuptimin e individit për jetën, por edhe për të tjerët dhe veten e tij.
Por cilat janë fazat e shokut kulturor?
Faza e parë: Faza e Muajit të Mjaltit
Kjo fazë quhet pikërisht kështu, pasi kjo fazë kategorizohet nga entuziazmi lidhur me kulturën e re. Pra, individët mund të ndihen të entuziazmuar përsa i përket pikëpamjeve dhe eksperiencave të reja të hasura në kulturën e re. Gjatë kësaj faze individët mund të idealizojnë apo romantizojnë kulturën e re. Kjo fazë mund të zgjasë nga disa javë dëri në disa muaj.
Faza e dytë: Faza e frustracionit
Në momentin që fillon të venitet entuziazmi i paraqitur në fazën e parë, individët mund të fillojnë të përjetojnë ndjenja frustracioni apo ankthi si rrjedhojë e ndryshimeve kulturore apo edhe barrierave të gjuhës. Pra, vështirësitë jo vetëm që bëhen më të dukshme, por edhe sfiduese për t’u menaxhuar. Gjatë kësaj faze individët mund të fillojnë të përjetojnë edhe ndjenja trishtimi, zemërimi dhe mund të vihet re izolimi social. Gjithashtu mund të përjetojnë edhe ndjenja nostalgjie apo përmallimi për vendin e tyre, apo edhe dyshimi nëse rruga që ata ndërmorën për t’u larguar nga vendi i tyre, ishte vendimi më i mirë për ta.
Faza e tretë: Faza e përshtatjes
Gjatë kësaj faze individët fillojnë të përshtaten me kulturën e re dhe fillojnë të zhvillojnë mekanzmat e tyre mbrojtës për të përballuar ndryshimet kulturore dhe jetesën e tyre të re. Individët fillojnë të zgjerojnë netëork-un social dhe të përmirësojnë edhe aftësitë komunikative në gjuhën e huaj.
Faza e katërt: Faza e Pranimit
Kjo fazë lidhet me ndjenjën e përkatësisë dhe komoditetit në kulturën e re. Individët përpos ndjenjës së përkatësisë, zhvillojnë aftësitë e tyre dhe ndihen më të aftë për të përballuar jetesën e tyre të re, të socializohen dhe integrohen me të tjerët, si dhe krijojnë nje sens botëkuptimi më të thellë dhe vlerësimi lidhur me kulturën e re. Gjatë kësaj faze mund të vihet re edhe zhvillimi i identitetit bikultural.
Por çfarë është identiteti bikulturor?
Identiteti bicultural lidhet me të qenurit apo ndjerit vetvetja edhe në kombinimin apo integrimin e dy kulturave. Pra individi është aftësuar dhe ka pranuar ndikimin dhe rëndësinë e të dyjave kulturave dhe ka krijuar tashmë një qasje pozitive dhe përkatësie mes dy kulturave; kulturës së vendit nga i cili vjen dhe kulturës në vendin e ri ku tashme jeton.

Si të përballoni shokun kulturor?
Në vijim mund të gjeni disa këshilla të vlefshme për ta përballuar atë:
1) Ndërtoni një network social mbështetës – Një ndër hapat kryesor është edhe përfshirja juaj në aktivitete social-kulturore, si ato që zhvillon organizata ‘’Tradita’’. Eksploroni dhe zbuloni hobi apo interesa që ju keni dhe në kohën e lirë mund t’i praktikoni ato.
2) Merrni kohën që ju nevojitet- Përshtatja në kulturën e re është një proces gradual, ndaj mos ushtroni presion ndaj vetes tuaj dhe mos fajësoni veten tuaj pse nuk ndiheni menjëhërë më mirë.
3) Mësoni gjuhën - Lexoni, hulumtoni dhe ndiqni kurse apo leksione të aksesueshme. Mos u stepni për të praktikuar edhe njohuritë tuaja aktuale në gjuhën e huaj. Mësimi i gjuhës është një sfidë për ju, por një hallkë shumë e rëndësishme në progresin dhe integrimin tuaj në shoqëri. Shpesh dëgjojmë nga individë të ndryshëm frazën ‘’Do ta mësoj gjuhën kur të vij atje. Tani është e kotë, s’kam si mësoj dot.’’ Por jo, na lejoni t’ju themi që mësimi i gjuhës është mirë të nisë që në vendin tuaj të origjinës, pasi do mund të lehtësojë dhe përshpejtojë edhe përshtatjen dhe komoditetin tuaj për të kërkuar mundësi më të mira qoftë punë, apo arsimimi/edukimi.
4) Flisni me dikë- Mos i mbani të fshehura ndjenjat apo shqetësimet tuaja. Flisni me njërëzit tuaj të dashur, me familjarët apo miqtë tuaj më të mirë, madje nëse është e mundur konsultoheni edhe me psikologë apo ekspertë të shëndetit mendor lidhur me ndenjat e ankthit, pasigurisë, stresit dhe vështirësitë emocionale që ju po përjetoni. Gjithashtu mos harroni, që ekipi i Paragon do të jetë gjithmonë aty për ju, në ditë me diell, por edhe në ditë me shi të këtij rrugëtimi të ri që ju keni nisur.




Comments